Ka treg apo s'ka treg? Besoj se të gjithëve u sjell ndërmend shumë nostalgji një frazë e atillë e huazuar nga ata që merren me bujqësi para se të nisin të mbjellat.
Dikush thote që speci para 20 vitesh u rrit sa 15-katëshi dhe i solli miliona ndër duar tregtarëve. Tjetri ia këput që bamjet shqiptare pushtuan tregun europian para ca kohësh e bashkë me miq të tij nisin statistikat intensive. Të tjerët që s'flasin zënë e dëgjojnë e mbi të gjitha, plot besim u ndjekin këshillat në mënyrë që të fillojnë planifikimet.
S'besoj se ky rast dallon shumë nga udhëkryqet e maturantëve. Rastis shpeshherë të shoh statuse nëpër grupe maturantësh që pyesin për degë të ndryshme dhe përgjigjet që marrin janë nga më absurdet dhe skandalozet. Po ashtu mund të jetë dhe vetë postimi në një pjesë dërrmuese të rasteve.
Gjëja e duhur për ta filluar është të njohim vetveten. Mos të synojmë një përzgjedhje bazuar në bukuri të emrit, ndërkohë që në atë degë shumica e lëndëve që zhvillohen ti i urren. Nuk janë të pakta rastet që një maturant që urren matematikën zgjedh (për shembull) Inxhinierinë Elektronike, duke neglizhuar faktin që aty zhvillohen 5 matematika në një vit të vetëm. Dhe në disa prej tyre ngel. Ose merr ndonjë 5, ose 6 (nëse është me fat).
Së dyti, të kemi kujdes ndaj personave që na japin mend çfarë të bëjmë me jetën tonë. Ata janë
"armiqtë" tanë më të mëdhenj. Ata që thonë p.sh. se ka pasur rritje me 173.8% në industrinë e inxhinierisë tekstile pa ta dokumentuar si fakt. Nëse dikush ju jep sugjerime të tilla, kërkojini referenca. Duket qesharake, por është e arsyeshme të shqyrtohet. Duhet të kemi siguri përpara hapave si puna e këtyre. Kujdes i veçantë dhe ndaj rrjeteve sociale! Eshtë e lehtë të kërkosh sugjerime, por e vështirë të gjesh dikë që mund t'i besosh, aq m' pak në ato grupe ku shumica janë gjysmë-analfabetë.
Për të vazhduar më tej, nqs jeni psh ndërmjet një dege që konsiston në një formim politiko-social dhe një dege tjetër që i përket fushës së inxhinierisë ose mjeksisë, dijeni që jeni në ndonjë krizë ekzistenciale dhe e keni ekzagjeruar duke filozofuar. Njeriu gjithmonë e gjen veten më mirë ose në lëndë shoqërore, ose shkencore dhe gjithmonë ka një fushë ku ai ka kontribuar më shumë gjatë 12 viteve të shkollimit.
Si përfundim, mbase do tregohesha pak idealist duke thënë të ndjekësh ëndrrën. Duhet pranuar që është një thënie klishe, ama e ruan ende vlefshmërinë. Nëse ti do të vazhdosh degën e fizikës, mirëpo të tërë të vërsulen duke të thënë se do bëhesh thjesht një mësues…epo kjo duhet pranuar se është një frustrim dhe trysni e vërtetë. Por, nqs ti po bën atë që të jep më shumë kënaqësi, dije se je ne rrugën e duhur. Në fund të fundit, s'do jesh një ekonomist që do shohë orën çdo 20 minuta se mezi po i shtyhet koha në punë; një mjek që i urren njerëzit apo ndonjë i punësuar i ndonjë sektori tjetër që do urrejë atë që do bëjë.
Duke bërë reflektime të atilla, përgatisim vetveten duke i falur vetbesim, durim, vendosshmëri dhe dëshirë për të bërë zgjedhjen e duhur; vetitë që po i mungojnë brezave nga viti në vit.
KOMENTET