Ismail Kadare është një nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare bashkëkohore. Poezia e tij është origjinale dhe e fuqishme, me n...

Ismail Kadare është një nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare bashkëkohore. Poezia e tij është origjinale dhe e fuqishme, me një frymë të re qytetëruese dhe me konceptime të reja. Thelbin e kësaj risie e përbëjnë përjetimet e njeriut të shekullit të ri, të cilin poeti e quan shekulli im.
Libri “Ca pika shiu ranë mbi qelq” lexohet në shumës si fati i një populli thënë përmes shqetësimeve e kurajos së individit.
Poezia e Kadaresë kalon herë-herë në përgjithësime universale, gjithënjerëzore. Përsiatjet për probleme të tilla, si: liria përballë tiranisë dhe pushtimit, tradhëtitë e fshehta politike që sjellin shkatërrimin, mbytja e së vërtetës si mbytje e vetë njeriut dhe e qytetërimit, identiteti etnik i rrezikuar prej kozmopolitizmit dhe pseudokulturave hegjemoniste ngrihen në shkallën e vlerave universale, gjithënjerëzore.
Gjithashtu poezia e tij sjell pasurim të problematikës që trajtonte deri atëhere poezia shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës. Ajo është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Heroin lirik Kadare e vendos gjithmonë para sfidave të kohës; qëndrueshmërinë e tij fizike, shpirtërore e mendore përkundrejt provave që kalon gjithnjë atdheu i tij.
Poezitë dashurore të Kadaresë janë ndër më të bukurat në lirikën shqiptare. Ato janë poezi e ndjenjave njerëzore më të pastra dhe krejtësisht të çliruara. Për Kadarenë dashuria është një ndjenjë me fuqi të jashtëzakonshme që tjetërson gjithësinë para të dashuruarve. Edhe ndryshimet e mëdha klimaterike në tokë, si dhe në tërë sistemin diellor, edhe evolucioni i specieve në natyrë janë bërë vetëm e vetëm që t’i hapej rruga dashurisë së lirë e të pastër.Por dashuria është gjithmonë një enigmë për veten dhe të tjerët, me shkaqe të pakuptueshme dhe të pakomandueshme. Ashtu siç lindet vetvetiu nga thellësitë e shpirtit njerëzor, ashtu edhe mund të humbasë papritur. Atëherë mbetet i bukur kujtimi i saj, malli për një rikthim të pamundshëm.
Poezia e Kadaresë është e pasur me figuracion të drejtpërdrejtë, ndonëse e prirur drejt sintetizmit dhe nëntekstit. Nga ana tjetër, kjo poezi është meditative, poezi mendimi dhe si e tillë ajo ofron një shumësi kuptimesh.
Ismail Kadare hyri në poezinë shqipe në vitet ’60 – ’70 si çlirues dhe emancipues i vargut shqip. Duke i shkruar disa nga poezitë dhe poemat e tij në varg të lirë, Kadare dha një ndihmesë të madhe në përdorimin e këtij lloji vargu në poezinë shqipe, si një varg me mundësi të mëdha shprehëse dhe me muzikalitet të veçantë. Kadare ka lëvruar mjeshtërisht dhe lloje të ndryshme të vargjeve të matura metrike.
Gjithashtu Kadare është një pasurues dhe risues i fjalorit poetik të shqipes. Ai e pasuroi fjalorin poetik të shqipes sidomos me fjalë nga fusha e teknikës moderne, politikës, kulturës qytetare, ndjenjave njerëzore etj., duke i shndërruar ato nga fjalë prozaike të rëndomta, në fjalë me ngjyresa të holla poetike.
KOMENTET