Miti i Prometeut përmbledh historinë e çdo heroi që ka ekzistuar…
Prometeu njihet si krijuesi i njeriut të
parë prej balte dhe titani që i solli “zjarrin e zhvillmit” njerëzimit… Zjarri ishte
privilegj vetëm i perëndive, por Prometeu, duke mos dashur të lërë qënien njerëzore
në mjerim, ua vodhi zjarrin perëndive dhe ua dha atë njerëzve. Për këtë arsye,
Zeusi, udhëheqësi i perëndive të tjera, e dënoi atë, edhe pse Prometeu ishte ai
që e ndihmoi Zeusin të merrte fronin, pra dënoi mikun e tij. Ai u syrgjynos dhe
u mbërthye në një shkëmb në Kaukaz, ku çdo ditë një shqiponjë shkonte dhe i
hante mëlçinë, e cila i rritej përsëri gjatë natës. Ky dënim nuk mbaronte
derisa Prometeu të kërkonte falje për atë që bëri, të gjunjëzohej. Por si
mundet një hero të kërkojë falje për diçka të mirë që i bëri qenies që ai
krijoi? Si mund të pranojë ai ta quajë të gjithën gabim, atë që bëri për njerëzit?
Prometeu
në mitologji njihet si një titan i cili kishte si aftësi magjike të shikonte të
ardhmen. Ai kishte parë të ardhmen e të gjithëve, përfshirë këtu edhe atë të
Zeusit, pra çdo veprim i tij ishte i menduar mirë. Kur Zeusi e mori vesh këtë,
ai dërgoi Hermesin për ta kërcënuar dhe detyruar që të tregonte, por si çdo hero
sypatrembur, Prometeu heshti. Këtu shohim një hero i cili nuk trembet nga tirania,
nuk trembet nga pushteti absolut sepse ai është duke bërë gjënë e duhur për
popullin e tij. Zeusi u inatos tej mase për këtë sjellje të ish-mikut të tij.
Kjo ishte për disa arsye të ndryshme. E para ishte se Prometeu nuk ishte në anën
e perëndive por në anën e njerëzve. E dyta ishte për shkak të vjedhjes së
zjarrit dhe e treta sepse ai kishte refuzuar t’i tregonte Zeusit atë çka ai
dinte për të ardhmen e tij.
Prometeu
edhe pse ndodhej akoma në atë gjendje mjerimi, ai përsëri nuk u bindet perëndive.
As Zeusi nuk kishte ndërmend të ulte dënimin për ish-mikun e tij. Por siç e dimë
kjo sjellje nuk mund të sjellë asgjë të mire. Në fund, gjithçka rregullohet
sepse Zeusi “zbutet” dhe Prometeu shpëtohet prej Herakliut. Kjo na bën të
kuptojmë që funksionimi më i mirë i shoqërisë
arrihet vetëm atëherë kur është e pranishme tolerance.
Tek
Prometeu shohim heroin e pagjunjëzuar, simbolin e vetëflijimit për të tjerët, heroin
me krenari të pathyeshme dhe me durim të pafund. Ai konsiderohet simbol i zhvillimit,
i revolucionit. Shohim dëshirën e tij për tu bërë mirë të tjerëve, pra është
edhe simbol i humanizmit. Duke parë Prometeun mësojmë kuptimin e të qënit hero.
Ai që lufton për të mirën e popullit të
tij, për idealin e tij, ai që kurrë nuk gjunjëzohet para vështirësive që i
dalin përpara, por që i përballon ato me gjithë qënien e tij, edhe pse vetë nuk
mund ta gëzojë atë të mirë që ai po bën, ai meriton të quhet Promete i kohës në
të cilën ai jeton.