LËNDËT E RREZIKSHME TË DUHANIT Gjatë thithjes, cigarja digjet në temperaturën 700o C. Në këtë temperaturë formohen shumë lëndë helmues...

LËNDËT E RREZIKSHME TË DUHANIT
Gjatë thithjes, cigarja digjet në temperaturën 700o C. Në këtë temperaturë formohen shumë lëndë helmuese. Vetëm me një thithje të cigars, një duhanpirës merr rreth 4000 lëndë të dëmshme për shëndetin, nga të cilat 60 dyshohen si lëndë kancerogjene. Një pjesë e tyre, edhe pse në sasi shumë të vogla, kanë veti helmuese. Kërkimet kanë treguar se një duhanpirës ka një jetëgjatësi rreth 7-8 vjet më të shkurtër në krahasim me një njeri joduhanpirës. Ndër lëndët që përmban duhani më të rrezikshmet janë monoksidi i karbonit CO, nikotina, prodhimet irrituese dhe katrani me nënprodhimet e tij.
SËMUNDJET KRYESORE TË SHKAKTUARA NGA DUHANI
Duhani është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve nga sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut. Pirja e duhanit shkakton ngurtësimin dhe ngushtësimin e arterieve të gjakut. Në të njëjtën, kohë aftësia mpikëse e gjakut rritet katër herë. Rreth 30% e vdekjeve nga goditja e zemrës shkaktohen nga pirja e duhanit. Nga bllokimi i enëve të gjakut mund të goditet truri, duke shkaktuar paraliza. Bllokimi i enëve të gjakut të veshkës shkakton rritje të presionit arterial, ndërsa nga bllokimi i enëve të gjakut të këmbës shkaktohen gangrena. Duhanpirësit janë më të prekshëm nga kanceri, sesa njerëzit që nuk pinë duhan. Kanceri më i zakonshëm është ai i mushkërive, i fytit dhe gojës. Në gati 90% të rasteve, kanceri i mushkërive shkaktohet nga pirja e duhanit. Duhani rrit rrezikun për kancer të fshikëzës së urinës, ezofagut, veshkës, pankreasit dhe qafës së mitrës.
Pirja e duhanit është shkaku kryesor i dëmtimit të hojëzave të mushkërive. Ky dëmtim quhet emfizema pulmonare. Duhani shkakton gjithashtu bronkitin kronik, i cili shoqërohet me kollitje dhe prodhim të tepërt të lëndës jargore në rrugët e frymëmarrjes. Këto dëmtime bëhen të dukshme në moshën 35-40 vjeç.
Pirja e duhanit shkakton edhe dëmtime të tjera: rrit shtypjen arteriale të gjakut; dëmton dhëmbët; ndikon në shfaqjen e ulcerave në gojë; dëmton pamjen duke e bërë lëkurën të zbehtë etj. Pirja e duhanit dëmton edhe fuqinë seksuale, kryesisht te meshkujt.
NDËRPRITNI MENJËHERË PIRJEN E DUHANIT!
Nëse keni filluar të pini duhan, duhet të merrni vendim për ta lënë sa më parë. Pas lënies së tij, shëndeti juaj do të përmirësohet, nuk do të ndieni lodhje dhe dhimbje koke, zemra do të punojë më e letësuar, jetëgjatësia juaj do të rritet dhe nuk do të kërcënoheni nga kanceri i mushkërive dhe i organeve të tjera.
MINISTRIA E SHËNDETËSISË