Facebook Twitter Instagram LinkedIn Youtube

Arsyeja e publikimit të materialeve në faqen tonë është lehtësimi i punës së nxënësve dhe jo përvetësimi apo kopjimi i këtyre materialeve për t’i prezantuar si punë vetjake. Marrja e një detyre të gatshme prej nxënësve nuk është në interesin tonë, por nëse kjo ndodh ne nuk mbajmë përgjegjësi. Informacioni është i lirë. Lexo më shumë.

$hide=page

Roli i elementeve organik në organizmin e njeriut - Projekt Kimi

Roli i elemtenteve organik në organizmin e njeriut

 Përbërjet komplekse
Përbërjet komplekse takohen në çdo hap në jetën e përditshme dhe mbartin një rëndësi të dorës së parë në organizimin e së gjallës. Përbërësi thelbësor i gjakut, hemoglobina, përbëhet nga hemi, që është një përbërje komplekse dhe globina që është një proteinë. Hemi, kompleks me ngjyrë të kuqe me kompleksoformues hekurin, ka një strukturë të rrafshtë katrore. Ky kompleks, në një nga pozicionet e bashkërendimit, mbi rrafshin e tij, lidh një molekulë të madhe proteine që është globina. Në pozicionin e kundërt fiksohet molekula e oksigjenit dhe në këtë mënyrë hemoglobina e gjakut, bën transportin e tij nga mushkëria në qelizë.
Klorofili, pigmenti i gjelbër i bimëve, është një kompleks i ngjashëm me hemin. Ai ka ligande organike që përmbajnë azot të ngjashëm me ligandet e hemit të hemoglobinës, por që si kompleksoformues, në vend të hekurit, ka magnez. Bimët kanë ngjyrë të gjelbër, sepse klorofili përthith dritën me ngjyrë të verdhë dhe drita e pasqyruar paraqitet e gjelbër. Energjia që përftohet nga përthithja e kësaj drite, përdoret në procesin e fotosintezës.
Enzimat
Ndikimi i jashtëzakonshëm i katalizatorëve është më i dukshëm në proceset biologjike. Në fakt, shumë reaksione kimike që ndodhin në organizmat e gjalla, kryhen në temperatura relativisht të ulëta, por, pavarësisht kësaj, janë mjaft të shpejta dhe kjo falë pranisë së katalizatorëve të veçantë që quhen enzima.
Enzimat përbëhen nga molekula të mëdha proteinash dhe veprimi i tyre katalitik është i mundur falë strukturës së tyre të veçantë. Në fakt, enzimat kanë në sipërfaqe të tyre një lloj grope që quhet vendi aktiv, në gjendje të marrë brenda tij, në mënyrë përzgjedhëse, molekulat që duhet të reagojnë, të quajtura substrakt. Kjo gjendje i ngjan pak a shumë asaj të përputhjes së çelësit me hapësirën e bravës. Me fjalë të tjera, molekula ”çelës” reagon vetëm kur gjendet në vendin aktiv të enzimës së saj “bravë”. Pasi është kombinuar me vendin aktiv, molekula reagon dhe shndërrohet:  molekulat e produkteve largohen nga vendi aktiv i cili bëhet gati të presë një molekulë të re substrakti.
Kur molekula nuk e gjen enzimën e saj  specifike, nuk krijohen kushtet që ajo të reagojë dhe ky fakt mund të shkaktojë probleme serioze. Për të shmangur një nga këto probleme, prej më shumë se një viti gjendet në shitje një produkt i veçantë, qumështi HD.  Kjo shenjë (High Digestibility) tregon një lloj qumështi me tretshmëri të lartë, pra, një qumësht që mund të konsumohet edhe nga ata njerëz që nuk arrijnë të tretin laktozën, sheqerin e pranishëm në qumështin e gjitarëve. Është vërtetuar se tretja e laktozës ndodh vetëm në praninë e një katalizatori të veçantë, enzimës së quajtur laktazë.  Është vërejtur se organizmi i disa njerëzve, me kalimin e viteve shfaq mangësi në prodhimin e laktazës. Kjo e metë shkakton problemin ushqimor të përshkruar më sipër. Nëpërmjet një trajtimi para ambalazhimit, laktoza shndërrohet në dy sheqerna më të thjeshta, në glukozë dhe në galaktozë. Ky shndërrim është pikërisht ai që ndodh në organizëm nëpërmjet enzimës laktazë. Kështu që mund të themi se qumështi HD është një qumësht . . . gati i tretur.
Reaksionet e katalizuara nga enzimat janë 108 deri në 1020 herë më të shpejta se reaksionet e pakatalizuara. Le të marrim, për shembull, reaksionin e djegies së glukozës. Nëse e realizojmë në laboratorë, në temperaturën 37 °C, për shkak të energjisë së tij të lartë të aktivizimit, reaksioni është aq i ngadaltë saqë duket sikur nuk ndodh fare. Në po këtë temperaturë në qelizat e trupit tonë, ai ndodh shpejt pikërisht falë pranisë së enzimave.
Shpesh enzimat veprojnë bashkë me lëndë të tjera si vitaminat dhe jonet metalore: prandaj është e rëndësishme që dieta e përditshme të jetë e pasur me vitamina dhe kripëra minerale.

Lëndët ushqyese
Pjesa më e madhe e lëndës organike që gjendet tek ushqimet përbëhet nga proteinat, yndyrnat dhe sheqernat, që janë makromolekula, pra molekula të mëdha që formohen nga bashkimi i molekulave më të vogla. Në lidhjet që bashkojnë mes tyre atomet e këtyre lëndëve ndodhet energjia kimike. Ky është i vetmi burim i përdorshëm energjie nga kafshët dhe njeriu, pasi këto gjallesa nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë energjinë e diellit, siç bëjnë bimët.
Proteinat, sheqernat dhe yndyrnat janë lëndë të nevojshme në sasi të mëdha, prandaj quhen makroushqyes, ndërsa lëndë të tjera si natriumi, kaliumi, kalciumi, zinku, bakri, jodi, magnezi janë të nevojshme për funksionet e ndryshme të trupit, por në sasi më të vogla që maten në miligramë. Këto lëndë quhen mikroushqyese. Të tjera elemente, si kromi, kobalti, seleniumi janë të nevojshme në sasi shumë më të vogla, vetëm në disa mikrogramë. Këto lëndë quhen gjurmë elementesh. Mikroushqyesit dhe gjurmët e elementeve gjenden te bimët (nikeli, kromi), te mishi i kuq (hekuri, bakri), te qumështi (kobalti), te peshku (jodi, seleniumi) etj. Përveç makro dhe mikroushqyesve, ushqimet duhet të përmbajnë edhe vitamina. Këto lëndë, megjithëse në sasi të vogla, janë molekula të domosdoshme për rritjen dhe mbarëvajtjen e funksioneve të trupit.

Molekulat e dietës: sheqernat, yndyrnat, proteinat
Sheqernat ose karbohidratet. Bimët janë prodhuese të mëdha të sheqerit. Sheqernat më të përhapura në lëndët ushqimore janë sakaroza (disakarid) dhe amidoni (polisakarid), që i gjejmë te kallami dhe panxhari i sheqerit, si edhe te farërat e drithërave, patatet, bananet etj. Nga qumështi nxjerrim një tjetër sheqer të rëndësishëm, laktozën. Sakaroza, laktoza dhe amidoni janë sheqerna të përbëra. Gjatë tretjes ato kthehen në sheqerna të thjeshta.
Sheqeri i thjeshtë më i rëndësishëm është glukoza. Glukoza përdoret nga të gjitha qelizat e trupit tonë për të përftuar energji, e cila çlirohet gjatë frymëmarrjes qelizore.
Organi që konsumon më shumë glukozë është truri (120 – 140 gramë në ditë). Edhe pse është kaq e rëndësishme, glukoza nuk grumbullohet në qeliza të ndryshme të organizmit, me përjashtim të qelizave të mëlçisë dhe të muskujve, ku atë e gjejmë si rezervë të glikogjenit.
Yndyrnat. Yndyrnat, si ato me origjinë bimore dhe ato me origjinë shtazore, janë burime të përqendruara të energjisë kimike. Yndyrnat gjenden në farat e bimëve, ku shërbejnë si ushqim për bimën e ardhshme. Ato gjenden si rezervë energjie edhe në indin dhjamor të kafshëve, të cilin e përdorin në periudhën e gjumit dimëror (letargjisë) si dhe kur ndërmarrin shtegtime të gjata. Yndyrnat gjenden edhe te qumështi i gjitarëve, që shërben për të ushqyer të vegjlit e tyre në muajt e parë të jetës. Një person me masë 75 kg ka një rezervë yndyrore prej rreth 15 kg.
Pjesa më e madhe e yndyrnave përbëhet nga trigliceridet, që formohen nga një molekulë glicerine dhe nga tri molekula të acideve yndyrore. Trigliceridet me origjinë bimore janë vajrat, kurse ato me origjinë shtazore janë gjalpi dhe dhjami.
Në yndyrnat me origjinë shtazore, acidet yndyrore të lidhura me glicerinën janë kryesisht të ngopura. Tek vajrat, acidet yndyrore janë kryesisht të pangopura. Acidet yndyrore të pangopura, kanë për të njëjtën sasi të atomeve të karbonit një sasi më të vogël hidrogjeni. Prania e tyre është e domosdoshme për ndërtimin e membranave qelizore. Në fakt, dy të tretat e acideve yndyrore të fosfolipideve të membranave janë të pangopura.
Dy acide yndyrore të pangopura, acidi oleik dhe acidi linoleik janë thelbësorë, pra duhet të merren me dietën sepse organizmi nuk është në gjendje ti prodhojë vetë.
Një yndyrë me origjinë shtazore është edhe kolesteroli. Ai është një lëndë e ngjashme me dyllin që gjendet te mishrat, e verdha e vezës, gjalpi etj. Kolesteroli, në kushte të veçanta, depozitohet në muret e enëve të gjakut, siç janë arteriet dhe venat, duke formuar disa pllakëza që i forcojnë ato dhe që mund të pengojnë apo edhe të bllokojnë rrjedhën e gjakut. Depozitimet e kolesterolit janë shkaku i një sëmundjeje që quhet arteriosklerozë. Nisur nga kërkimet dietologjike duket se arterioskleroza mund të parandalohet me anë të një diete të pasur në yndyrna të pangopura dhe të varfër në yndyrna të ngopura.
Edhe pse një tepri e kolesterolit në gjak përbën një faktor rreziku për sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, kjo lëndë është e rëndësishme për organizmin. Shumë molekula kolesteroli marrin pjesë në ndërtimin e membranave qelizore, pra janë përbërëse thelbësore të qelizave. Përveç kësaj, kolesteroli përdoret dhe për sintezën e molekulave të ngjashme, por me funksion krejt të ndryshëm. Të tilla janë, për shembull, hormonet seksuale. Nisur nga rëndësia që ka kolesteroli për trupin, një pjesë e tij prodhohet edhe në mëlçi. Sasia e prodhuar në këtë organ është rreth katër herë më e vogël se ajo që merret me dietën normale.
Proteinat. Pjesa më e madhe e përbërësve organikë të trupit tonë janë proteinat.
Proteinat që gjenden te ushqimet janë burime azoti, për të cilat trupi ka nevojë për prodhimin e proteinave të veta. Ato kanë një rol themelor, sepse marrin pjesë në proceset kimike si katalizatorë (enzima) dhe përbëjnë pjesën më të madhe të strukturave qelizore.
Proteinat me origjinë shtazore gjenden te mishi, qumështi dhe vezët; ato me origjinë bimore gjenden në veçanti te bishtajoret, si fasulet, qiqrat, soja etj.
Proteinat ndërtohen nga kombinimi i 20 aminoacideve të lidhura mes tyre duke formuar zinxhirë të gjatë. Nëntë prej këtyre aminoacideve quhen thelbësore, sepse trupi ynë nuk është në gjendje t’i prodhojë duke u nisur nga molekulat e tjera.
Aminoacidet thelbësore gjenden si në proteinat shtazore, ashtu edhe në ato bimore. Megjithatë proteinat shtazore i përmbajnë këto aminoacide në raporte më të përshtatshme me kërkesat e organizmit tonë.
Sasia ditore e proteinave është e domosdoshme, sepse trupi i njeriut nuk është në gjendje t’i rezervojë ato, siç ndodh me disa lloj sheqernash dhe yndyrnash. Nëse pesha jonë është 60 kg, nevoja ditore për proteina është 60 g. Specialistët e të ushqyerit vlerësojnë se nga këto 60 g, 30 g duhet të jenë me origjinë shtazore dhe 30 g duhet të jenë me origjinë bimore.
Vitaminat
Në disa papiruse egjiptiane gjenden përshkrimet e riteve të kremtuara nga priftërinjtë për rikthimin e shikimit të dobësuar të njerëzve që kishin kryer udhëtime të gjata në shkretëtirë. Këtyre njerëzve u jepej mëlçia e një majmuni që i flijohej hyjnive.Sot e dimë se mëlçia përmban vitaminën A. Mungesa e kësaj vitamine shkakton mjegullimin e kornesë, cipës së tejdukshme që vesh pjesën e përparme të syrit. Kjo sëmundje, që quhet kseroftalmi shkakton verbërinë, por në fazën fillestare ajo mund të kurohet. Si pasojë e mungesave ushqimore gjatë udhëtimeve në shkretëtirë, njerëzit mund të prekeshin nga një formë e kurueshme e kseroftalmisë.
Organizmi ynë ka nevojë për 13 vitamina. Këto janë lëndë kimikisht të ndryshme ndërmjet tyre, por të domosdoshme për funksionimin e organizmit edhe pse nuk janë materiale ndërtimi apo burime energjie.
Për këtë arsye, tabletat me bazë vitamine, në kundërshtim me sa mund të mendohet, nuk janë në gjendje të përmirësojnë ato veprime që kërkojnë energji. Shumë vitamina, si ato të grupit B, janë koenzima, pra janë pjesë integruese e enzimave, pa praninë e të cilave nuk mund të veprojnë si katalizatorë. Për vitamina të tjera, funksioni është i ndryshëm. Për shembull, vitamina A përdoret për formimin e rodopsinës. Rodopsina është pigmenti i ndjeshëm ndaj dritës që ndodhet te kleçkat, të cilat janë qeliza ndijore në retinën e syrit. Ato mundësojnë shikimin bardhë e zi. Ndërsa vitamina D rregullon sasinë e kalciumit dhe të fosforit në gjak dhe ndihmon në kalcifikimin e kockave. Vitamina E ndalon ndryshimin e membranave të qelizave. Vitamina K është antihemorragjike pasi ndihmon në mpiksjen e gjakut.
Disa vitamina (ato të grupit B dhe vitamina C) janë të tretshme në ujë ose hidrosolubël, të tjera janë të tretshme në yndyrë ose liposolubël (vitaminat A, D, E, K, acidi folik).

Te qumështi dhe vaji i peshkut ka më shumë vitamina të tretshme në yndyrë, kurse te perimet ka më shumë vitamina të tretshme në ujë. Në përgjithësi vitaminat merren në sasi të vogla që, pasi të kenë kryer rolin e tyre si koenzima, të mund të përdoren sërish. Përkundrazi, vitamina C duhet marrë në sasi të mëdha, rreth 75 mg në ditë, sepse në dallim nga të tjerat konsumohet dhe teprica eliminohet me anë të urinës. Sot mendohet se shumë vitamina, në veçanti ato A, E dhe C, kanë rol parandalues kundër tumoreve, pasi janë të afta t’u kundërvihen efekteve të dëmshme të radikaleve të lira. Këto të fundit mund të ndryshojnë me pasoja të rënda strukturën e membranave fosfolipidike të proteinave apo edhe të vetë ADN-së.

Dokumenti për printim: Shkarko këtu
Name

Analiza,25,Analizë,1,Anglisht,3,Aplikimi A2,1,Arte,4,Biologji,12,BLOGGER,1,Detyra,18,Detyrë kërkimore,1,Drama,7,Edukim Fizik,1,Ekonomi,1,Ese,16,Ese Letrare,3,Filozofi,7,Gjeografi,3,Histori,6,Histori Arti,3,Informacione,13,Informatikë,2,Italisht,1,Kimi,7,Letersi,29,Letërsi Matura,1,Libra,9,Llogarit Piket,1,Lufta dhe Paqja,1,Matematikë,8,Matematikë Matura,1,Matura,8,MesueseAurela,3,Njoftime,8,Përmbledhje,3,Poezi,9,Projekt,38,Projekte,1,Proza,9,Qytetari,2,Referat,3,Revolucioni Francez,1,Rezultate,3,SEO,1,Shkenca,1,Shkencë Toke,2,Shkrime,6,Skema e vleresimit,5,Tech,1,Teknologji,1,Test,1,Teza,2,Universitet,3,
ltr
item
Banka e Fundit: Roli i elementeve organik në organizmin e njeriut - Projekt Kimi
Roli i elementeve organik në organizmin e njeriut - Projekt Kimi
Roli i elemtenteve organik në organizmin e njeriut
https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEhA6DP38AawZQeKNgmKnL6KqJuI-LoIQR-eBEGDyYMhZub4ecwdUJRaJ0rdRAZmHynE2yrn3HIQcf73goceaHXn9jmEN5mB5iEhMa5dr_plzMhrOwLDyqhn6UAoM4dniI-r-G6HiCFUKr56/s400/protein-food.jpg
https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEhA6DP38AawZQeKNgmKnL6KqJuI-LoIQR-eBEGDyYMhZub4ecwdUJRaJ0rdRAZmHynE2yrn3HIQcf73goceaHXn9jmEN5mB5iEhMa5dr_plzMhrOwLDyqhn6UAoM4dniI-r-G6HiCFUKr56/s72-c/protein-food.jpg
Banka e Fundit
http://www.bankaefundit.com/2017/02/roli-i-elemtenteve-organik-ne.html
http://www.bankaefundit.com/
http://www.bankaefundit.com/
http://www.bankaefundit.com/2017/02/roli-i-elemtenteve-organik-ne.html
true
6959114630447888504
UTF-8
Të gjitha postimet u servirën Nuk u gjet asnjë postim Shiko të gjitha Lexo më shumë Komento Fshi komentin Fshi Nga Kryefaqe FAQET POSTIMET Shiko të gjitha REKOMANDOHEN TË LEXOHEN ETIKETË ARKIVA KËRKO TË GJITHA POSTIMET Not found any post match with your request KTHEHU NË KRYEFAQE E dielë E hënë E martë E mërkurë E enjte E premte E shtunë Diel Hënë Martë Mërkurë Enjte Premte Shtunë Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nëntor Dhjetor Janar Shkurt Mars Prill Maj Qershor Korrik Gusht Shtator Tetor Nëntor Dhjetor tani 1 minutë më parë $$1$$ minutes ago 1 orë më parë $$1$$ hours ago Dje $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago më shumë se 5 javë më parë Ndjekës Ndiq Kjo përmbajtje është PREMIUM Ju lutem shpërndajeni që të aktivizohet Kopjo të gjithë kodin Selekto të gjithë kodin Të gjitha kodet u kopjuan në kujtesën tuaj Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy