“Rrethimi” (2008 ) është versioni përfundimtar i romanit “Kështjella”( 1970 ). Në një nga botimet në gjuhë të huaj njihet me titullin “Daull...
“Rrethimi” (2008 ) është versioni përfundimtar i romanit “Kështjella”( 1970 ). Në një nga botimet në gjuhë të huaj njihet me titullin “Daullet e shiut”.
Fabula e romanit është e thjeshtë: historia e rrethimit të një kështjelle shqiptare nga ushtria osmane në shekullin XV.
Ngjarjet e romanit rrëfehen kryesisht nga këndvështrimi i kryegjeneralit turk dhe i personazheve nga ushtria osmane, ndërsa nga pala shqiptare jepet vetëm monologu i herëpashershëm i njërit prej rojave të kullave.
I gjithë romani trajton orvatjet e ushtrisë osmane dhe ankthin e drejtuesve të saj se mos fillonin shirat dhe misioni bëhej i pamundur.Dhe në fakt kështu ndodhi.
Romani “Kështjella” nuk përmban të dhëna kohore dhe historike që do të mund ta identifikonin këtë rrëfim me një ngjarje konkrete.Edhe pse në përfytyrimin e lexuesit vjen shumë qartë rrethimi i Krujës, kjo nuk e kufizon këtë roman, i cili në të njëjtën mënyrë mund të përgjithësojë çdo lloj rrethimi, qoftë nga ata që kanë ndodhur nëpër fushata ushtarake, qoftë izolimet në të cilat ka kaluar Shqipëria. Autori realizon një kundërvënie shumë interesante midis Shqipërisë Perëndimore me një traditë të hershme katolike dhe pagane nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, dyndjeve që vinin nga Lindja. Kjo realizohet shumë mirë nëpërmjet gjuhës, ku shpeshherë thuhet Gjergji ynë, e cila evokon thënien “Ati ynë...”.Ndërkohë që fjalori me të cilin përshkruhet pala turke është i mbushur me turqizma.
Personazhi i Skënderbeut vjen në vargun e karaktereve të mëdha të krijuar nga De Rada, Marin Barleti e të tjerë. Por ndryshe nga tradita, Kadare e sjell Skënderbeun jashtë skenës së rrethimit. Kjo nuk është vendosje arbitrare, por mbështetet edhe në të dhëna historike që dëshmojnë strategjinë ushtarake të Kastriotit. Përmes këtij tipari të artit ushtarak, autori krijon edhe një tjetër hapësirë narrative. Kemi dy këndvështrime për Skënderbeun në roman:
· Perspektiva shqiptare – një personazh flet ditën për Skënderbeun, për Gjergjin të cilit i përgjërohet nëpërmjet lutjesh gati - gati mistike.
· Perspektiva osmane – personazhet e hapësirës së dytë, të cilët e mallkojnë të tmerrshmin Skënderbe gjatë natës.
Malet janë një instrument i teknikës narrative të Kadaresë. Ndonëse mali është një simbol qoftë i letërsisë së shkruar, qoftë i asaj folklorike, në të cilat bëhet sinonim i lashtësisë, i madhështisë dhe i mbrojtjes, Kadareja këtë lloj simboli e çon shumë më përpara dhe e bën më modern, duke e kthyer nga kufi natyral mbrojtës të shqiptarëve në një panoramë tmerri dhe kanosjeje për pushtuesit dhe duke i dhënë letërsisë së shkruar prej tij tipare fantazmagorike. Megjithatë, pavarësisht shtresimeve moderne, mali nuk e humb funksionin e përfaqësimit të rezistencës dhe forcës. Mali mbetet streha ku Skënderbeu fshihet, mbetet streha ku zanave u bëhet thirrje për të mbrojtur Shqipërinë dhe, mbi të gjitha, mbete simbol i mbijetesës. Te Kadare në fusha qëndrojnë pushtuesit në përpjekjen e gjithëkohëshme dhe të dështuar për të pushtuar malin, dhe në male qëndrojnë shqiptarët dhe kështjella e tyre.
Protagonisti kryesor i veprës është kryegjenerali turk Ugulu Tursun Pashai, i cili na shfaqet luftarak, i zoti, përfaqësues dinjitoz i një perandorie. Por mbi të gjitha autori thellohet shumë në labirintet e psikikës së kryegjeneralit. Ka shumë mundësi që ky personazh t’i referohet një personazhi të vërtetë, për të cilin flasin edhe kronikat turke. Në këto kronika Tursun Pashai lëvdon madhështinë e perandorit. Për t’i pëlqyer vullnetit të tij, detyrohet të gënjejë, të fshehë të vërtetat, të shtrembërojë faktet. Ai ndjek me vëmendje kapriçiot e sulltanit dhe si t’i plotësojë deri në fund ato, edhe kur nuk është dakord. Pavarësisht se jepet luftarak dhe madhështor, Tursun Pashai është tipik si antihero në veset, në mendimet e errëta me frikëra dhe paranoja. Megjithatë ai mbetet komandanti i cili merr përsipër një mision të rrezikshëm, pasi i duhet të luftojë në terrene të panjohura. Në fund Tursun Pashai flijohet, por me madhështinë e njeriut që sfidon fatin dhe është i vetëdijshëm për fundin që e pret.
Romani “Kështjella” është një nga kryeveprat e Kadaresë edhe për përmasën gjithëkohore, shmangien me mjeshtëri të detajeve historike dhe rrëfimin e ndodhive në mënyrë të tillë që të mund të lexohen lehtësisht edhe nga lexues të kulturave të tjera. Në këtë roman del shumë qartë kulti i Kadaresë për letërsinë si art për hir të artit. Në të gjitha ripunimet që i janë bërë romanit ka qenë përsosja deri në mani e shprehjes, gjuhës, kërkimi i mjeteve shprehëse të shqipes së vjetër dhe risemantizimi (rikuptimësimi) i fjalëve.
KOMENTET