Pashko Vasa – “Bardha e Temalit” Përmes tablove të gjalla të kësaj vepre, Pashko Vasa u rrëfeu lexuesve frankofonë realitetin shqiptar. I sh...
Pashko Vasa – “Bardha e Temalit”
Përmes tablove të gjalla të kësaj vepre, Pashko Vasa u rrëfeu lexuesve frankofonë realitetin shqiptar. I shkruar në një frëngjishte të përsosur dhe me një stil bashkëkohor, romani nxjerr në pah raportin mes individit dhe shoqërisë së pacivilizuar, e cila, me normat e saj të ngurta shtyp me të gjitha mjetet lirinë e individit.
Qëllimi i Pashko Vasës ishte t’u bënte të njohur të huajve të vërtetën për atdheun e tij, në një kohë kur çështja shqiptare ishte sensibilizuar midis fuqive evropiane prej jehonës së Lidhjes së Prizrenit.
Romani “Bardha e Temalit” është pasyrë e gjallë e jetës shqiptare në shekullin XIX. Me stilin e vet pasionant autori ka përshkruar skena të jashtëzakonshme familjare dhe sociale, ambiente tipike shqiptare, përmes një sfondi të theksuar romantik. Por në roman nuk mungojnë dhe pamjet realiste, si dhe situatat sentimentale me dramacitet të ndjerë, të cilat shpjegohen me depërtimin në subkoshiencën e karaktereve.
Me këtë roman Pashko Vasa kërkonte emancipimin e femrës shqiptare, të paktën të kishte të drejtën e dashurisë dhe të vendoste vetë për fatin e saj.
Linja kryesore e subjektit ka të bëjë me dashurinë fatkeqe të Bardhës. Bijë e një familjeje “borgjeze” të Shkodrës, ajo i nënshtrohet vullnetit të prindërve për t’u martuar me Lulin e Temalit, nga një familje bajraktarësh të Malësisë. Kjo vajzë e bukur qyteti detyrohet të ballafaqohet me karakterin tepër barbar të Lulit dhe të ëmës së tij. Rebelimin e saj ndaj kësaj situate e ndihmon vetëm fati. Ajo njihet rastësisht me Aradin, një bashkëmoshatar të vetin 18 – vjeçar dhe në çast, si në gjithë letërsinë romantike, lind dashuria përrallore mes tyre. Dilema që lind në zemrën e Bardhës për të shkuar me Aradin, apo të kthehej te Luli në Temal shpjegon dramën që zhvillohet brenda shpirtit të saj. Zemra e shtyn drejt krahëve të Aradit, por mendja i kujton Lulin. Me Aradin e lidh pasioni, me Lulin urrejtja reciproke.Por me Aradin e ndjek edhe turpi, kurse me Lulin i vinte nderi, nderi i nuses në derë të madhe. Dhe ajo zgjedh të rikthehet tek burri i saj në kullën e Temalit. Udhëtimi drejt tij shëmbëllen me udhëtimin e viktimës drejt flijimit. Dhe kështu ndodh në fund të romanit.
Aradi është djali i Mhillit të Vlashajve, një qytetar shkodran i ndershëm dhe patriot, që e urren sundimin turk, por në jetën familjare është fanatik i mentalitetit dhe nuk e toleron të renë. Është ky patriot i zjarrtë, që do shkaktojë tragjedinë e së bijës dhe do ta shndërrojë të birin 18-vjeçar në vrasës. Këtu qëndron dhe mjeshtëria e shkrimtarit, i cili na jep një Arad që shndërrohet nga vrasës i të dashurit të së motrës, në një djalosh të dashuruar, duke e bërë tërheqëse ngjarjen dhe duke na udhëhequr drejt tragjizmit.
Mbeten dy zgjidhje të mundshme: ose Luli të vritet nga Aradi dhe të realizohet një fund i lumtur për çiftin e dashuruar, ose Bardha të vritet duke e lënë të lirë Lulin për të jetuar jetën në përputhje me normat dhe zakonet e malësisë. Fiton alternativa e dytë.
Përmes linjës së dashurisë mes Bardhës dhe Aradit, autori ka dashur të shprehë pikëpamjen e tij për anën sublime të dashurisë, pa të cilën jeta e njeriut do të ishte e zbrazët dhe pa kuptim vazhdimësie.
Bardha, heroinë tipike romantike, është e paradënuar që kur ajo thirret prej autorit “e Temalit”. Ai e paracakton fatin tragjik të heroinës në botën e mykur ku jetonte. Me Bardhën, Pashko Vasa simbolizon fillimin e një shoqërie të emancipuar.
Edhe Aradi është një personazh romantik e sentimental, tek i cili ndodhin ndryshime të mëdha, në sajë të dashurisë dhe lidhjes që pati me Bardhën, por edhe të fundit tragjik të saj.
Luli i Temalit, me sjelljen e tij prej “kapedani” , bajraktar kokorosh, është përkrahës i i flaktë i praktikës së gjakmarrjes, si dhe i konflikteve ndërfisnore, ose i luftrave për t’i shërbyer sulltanit turk. Qëndrimi ideoemocional i autorit është kundër këtij despoti egoist në familje, i cili praqitet edhe tiran e zemërgur duke u shkaktuar malësorëve trima e të vuajtur gjakderdhje të kota, mjerim dhe fatkeqësi.
At Leonardi është shembulli i klerikut që përpiqet për të mirën. Ai përhap mëshirë dhe zemërbardhësi kristiane, duke u bërë një personazh mjaft funksional për subjektin dhe intrigën e romanit.
Pashko Vasa në mënyrë të qartë stigmatizon te romani “Bardha e Temalit” zakonin e gjakmarrjes si një dukuri fatale, që po firaste energjitë kombëtare.
Shprehje të romantizmit në roman janë edhe skenat e vajtimit nga gratë, të cilat, të mbledhura në formë gjysmërrethi para trupit të të vdekurit, vajtojnë me ligjërime epike, elemente etnografikë, etj.
Po kështu, tipar romantik është edhe subjektivizmi, i shprehur përmes paragrafëve meditues, apo personazhit kryesor, Aradit, me të cilin autori identifikohet lehtësisht.
Pashko Vasa shquhet për përdorimin e fjalëve të figurshme me ngarkesa emocionale befasuese.Romani ka një subjekt që shtrihet në linja të nryshme. Elementet përshkruese të ambientit gërshetohen me karakteret njerëzore, duke i dhënë kompozicionit shtrirje mjeshtërore dhe veprimit intensitet.
Fundi i romanit, ndonëse tragjik, është realist. Fundi tragjik është revoltë për ndryshim.
KOMENTET