Drama “Armiku i popullit” (1882) – Ibsen Dramë sociale përmes së cilës Ibseni godet disa prirje të paarsyeshme të masave, si dhe natyrën ...
Drama “Armiku i popullit” (1882) – Ibsen
Dramë sociale përmes së cilës Ibseni godet disa prirje të paarsyeshme të masave, si dhe natyrën hipokrite dhe të korruptuar të sistemit politik që ato përkrahin.
Nëpërmjet gjuhës komike të personazheve, autori përcjell idenë se nuk ka principe absolute mbi dijen dhe moralin, prandaj, përmes Doktor Stokmanit (zëri i Ibsenit në dramë), ai shpall se nuk duhet të përmbahemi tek 20 vitet që kaluam, por tek vitet që kanë për të ardhur, ku e vërteta do të ndryshojë në mënyrë tronditëse prej emancipimit shoqëror. Edhe pse lidhet me fillimshekullin e XIX kjo temë tingëllon mjaft aktuale dhe sot.
Motivi kryesor i çdo debati që ngre Doktor Stokmani është brezi i ardhshëm, shoqëria që do të vijë dhe që në dramë përfaqësohet nga fëmijët e doktorit. Duke mos kursyer asnjë klasë shoqërore dhe duke i dhënë secilës mësimin përkatës, Ibseni del si gjykatës i ashpër i shoqërisë borgjeze moderne. Në dramën e tij spikat thellë kritika e thellë dhe e rreptë që ai i bën kësaj klase, moralit të saj, duke qëndruar kështu në pozitat e realizmit kritik.
Ibseni përshkruan luftën e individit kundër shoqërisë që e shtyp. Kjo luftë është tragjike, sepse has në rezistencë: gjer në atë çast gjithçka të jep iluzionin e një jete të qetë e të lumtur dhe për askënd nuk është e lehtë t’ia nisë nga e para.
Doktor Stokman: ( zëri i Ibsenit) Zbulon që uji i banjave, ku shërben si mjek, përmban mikrobe sëmundjesh të rrezikshme, sepse qyngjet shkojnë nëpër toka të molepsura prej ndyrësive të fabrikave.
· Qyteti ku vepron Dr. Stokman është një pikturë e vogël e shoqërisë njerëzore kapitaliste borgjeze, e cila lulëzon me tregtinë e helmit dhe kallpazanërisë.
· Dr. Stokman aludon që për shoqërinë borgjeze s’ka shpëtim as nga kapitalistët e mëdhenj që e sfrutojnë, as nga proprietarët e vegjël që duan t’u zënë vendin, as nga proletarët e verbër që përkrahin gjakpirësit dhe shtypin çlironjësit. Kjo shoqëri duhet përmbysur me gjithsej, se është e pamundur të ndreqet me ato baza që ka.
Mënyrat e përmbysjes:
- Me luftë në tërë vijën
- Me edukatë, duke rritur një brez të ri proletarësh bujarë dhe të lirë, të cilët të formojnë bazën e shoqërisë së re që do të lindë mbi gërmadhat e së vjetrës.
· Dr. Stokman është optimist dhe ka sigurinë absolute që vepra e tij do të kurorëzohet me sukses. Sipas tij trim i mirë nuk është ai që ka shumë shokë, por ai që s’ka asnjë shok, ai që është i vetëm dhe përsëri qëndron e lufton kundër të gjithëve, gjer në fund.
Pjetër Stokman: (i vëllai i doktorit), është tipi i konservatorit kapitalist. Ka koncentruar në duart e tij jo vetëm forcat qeveritare, por edhe tërë kontrollin ekonomik e financiar të qytetit. I zgjuar, dinak, njohës i thellë i njerëzve, me një eksperiencë të gjerë politike. Idealet e ndryshme mund të kthejnë vëllain kundër vëllait, tiranët dhe liberalët mund të dalin nga e njëjta klasë, nga parësia, nga aristokracia.
Shtypshkronjësi Aleksen: tip i proprietarit dhe i borgjezit të mesëm, është njeriu “urtë e butë e plot tigani”.
Hovstadi dhe Bilingu: gazetarë oportunistë, pseudoliberalë dhe arrivistë pa skrupuj.
Horsteri: (mik i doktorit), është tipi i kapitenit të detit, që s’trazohet aspak me çështje politike e sociale. Trim, i besës dhe i mësuar të luftojë me elementet e natyrës, çmon doktorin si luftëtar që ka guximin të përballojë furtunën e turmës, merr anën e tij burrërisht dhe përpiqet ta shpëtojë nga valët e fatit si ndonjë anije të mbytur.
Zonja Katerina Stokman: (e shoqja e doktorit), e ëmbël, nikoqire e mirë, merr anën e doktorit edhe pse nuk është dakord me të, sepse sheh që lufta e tij do t’i sjellë familjes katastrofën.
Pjetra: (e bija e doktorit), revolucionare militante, mban plotësisht anën e babait të saj.
Bijtë e doktorit: janë tipat embrionikë të brezit të pritmë.
Martin Kili ( Derri): (vjehrri i doktorit), tipi i kapitalistit të opozitës. Bëhet armiku më i betuar i doktorit.
Personazhet e Ibsenit janë tipa simbolikë që të lënë përshtypjen e kukullave. Autori e bën këtë me synimin për të treguar se njerëzit modernë e kanë humbur aq shumë individualitetin, sa janë bërë me të vërtetë kukulla, qoftë nga edukata uniforme, qoftë nga idealet e përbashkëta. Ibseni nuk bën gjë tjetër veçse na i përshkruan marionetat ashtu si i kishte parë ato të loznin (të jetonin). Prandaj personazhet tek “Armiku i popullit” duken si të gjalla para nesh.
KOMENTET